Trafikimi i qenieve njerëzore është krimi me rritje më të shpejtë në botë – një industri prej 32 miliardë dollarësh në nivel global. E ashtuquajtura "ruta ballkanike" e kontrabandës së njerëzve dhe emigrantëve të paligjshëm është, që nga kriza e emigrantëve, një nga më fitimprurësit për grupet e lidhura kriminale të përfshira në trafikun e qenieve njerëzore. Këto grupe fituan tre miliardë euro nga trafikimi vitin e kaluar, janë të dhënat në filmin "Më ndihmo", i cili është pjesë e një projekti që synon të kontribuojë në luftën kundër kontrabandës dhe trafikimit të qenieve njerëzore.
Ky film është pjesë e një projekti të realizuar nga organizata Qendra për Paqe dhe Tolerancë (CPT) nga Prishtina, në bashkëpunim me Qendrën Rome për Demokraci (RCD) nga Bujanoci dhe me mbështetjen e Iniciativës për Ndryshim Paqësor (PCI).
Sipas Sasha Iliq nga organizata CPT, ky projekt prezenton katër komuna nga jugu i Serbisë dhe Kosovës – Bujanocin, Preshevën, Ranillugun dhe Parteshin – "ku bëhet trafikimi i qenieve njerëzore".
"Këto katër komuna kanë probleme të përbashkëta, që është se nuk ka bashkëpunim ndërmjet institucioneve. Në pyetje janë qendrat për punë sociale, policia kufitare, dogana, si dhe policia rajonale në Vranjë dhe Gjilan", tha Iliq.
Gjatë ekzistencës së shtetit të ish-RSFJ-së, nuk kishte vendkalime kufitare ndërmjet republikave që e përbënin atë, por vetëm kalime administrative. Pas rënies së RSFJ-së, u shfaqën një numër i madh vendkalimesh të pashënuara, që përfaqësonin një "parajsë për kontrabandistët e njerëzve".
Siç konkludohet në filmin "Më ndihmo", në rutën e emigrantëve të paligjshëm në këtë pjesë të Evropës, janë edhe Mali i Zi dhe Shqipëria, të cilat përfaqësojnë vendet transit, dhe ruta vazhdon drejt Bosnjë-Hercegovinës dhe Serbisë.
Nga drejtimi i Maqedonisë së Veriut, në Serbi çdo ditë hyjnë më shumë se 450 persona, ndërsa nga drejtimi i Hungarisë, Rumanisë dhe Kroacisë çdo ditë dëbohen deri në 600 migrantë të paligjshëm, dhe dëbimi i emigrantëve drejtohet në duart e kontrabandistëve. Ky është një biznes fitimprurës për kontrabandistët, pasi migrantët janë të gatshëm të paguajnë për të shkuar në disa nga vendet perëndimore.
"Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, më shumë se 52,000 njerëz nga ky vend kanë hyrë në Serbi, nga të cilët më shumë se 10,000 kanë qëndruar dhe janë regjistruar këtu", tha për Tanjug Radosh Đuroviq, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Mbrojtjen dhe Ndihmën për Azilkërkuesit (APC).
Viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore – tregojnë të dhënat e hulumtimit për qëllimet e këtij projekti – shfrytëzohen kryesisht nga dikush që i besojnë e viktima ka në të gjitha pjesët e botës. Vijnë nga të gjitha shtresat shoqërore, mund të jenë të çdo kombësie dhe niveli arsimor.
"Tregtarët ndonjëherë janë të njohurit tanë, punëdhënësit e mundshëm, madje edhe njerëz të afërt – kusherinjë apo partnerë", thuhet në film.
Ivana Stoshiq nga RCD, një organizatë që është bashkëpunëtore në këtë projekt, tha se "të gjithë mund të jenë viktimë".
"Njerëzit nuk dinë mjaftueshëm për trafikimin dhe kontrabandën me qenie njerëzore. Ideja e këtij projekti dhe filmit 'Më ndihmo', i cili është pjesë e projektit, është përfshirja e organizatave joqeveritare, përfaqësuesve të pushtetit lokalsi dhe sa më shumë qytetarë në zgjidhjen e këtij problemi global", tha Stoshiq.
Të dhënat e Byrosë kundër trafikimit me qenie njerëzore tregojnë se në Serbi vitin e kaluar janë identifikuar 62 viktima të trafikimit me qenie njerëzore, që është 35 për qind më shumë se në vitin 2021, kur ishin 46. Nga ky numër, 79 për qind e viktimave janë gra. Në anën tjetër, në vitin 2022 në Kosovë janë zbuluar 22 viktima, prej tyre 16 vajza, dy djem dhe katër gra. Në Kosovë, 86 për qind e viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore vitin e kaluar ishin gra, prej të cilave 60 për qind ishin të shfrytëzuara seksualisht.
Të dhënat e organizatave joqeveritare që merren me këtë problem tregojnë se viktimat e trafikimit seksual në Kosovë janë gra të cilat janë sjellë me forcë nga trafikantët nga Serbia, Shqipëria, Mali i Zi, Rumania, Moldavia dhe vende të tjera.
"Trafikantët rekrutojnë vajza dhe gra me premtimin për martesë ose se do të punësohen si kërcimtare apo këngëtare dhe shërbimet seksuale kryhen në apartamente dhe shtëpi private, në sallone masazhi dhe klube nate", konkludohetnë filmin "Më ndihmo".
Organizatat joqeveritare paralajmërojnë gjithashtu se ka një "diferencë të madhe" midis numrit zyrtar dhe atij real të trafikimit të qenieve njerëzore dhe se numri është "deri në 10 herë më i lartë".
Fakti që shumë viktima nuk vijnë kurrë në kontakt me institucione apo organizata të specializuara tregon se është e nevojshme të përmirësohet bashkëpunimi i institucioneve që janë pjesë e zinxhirit të parandalimit të trafikimit të qenieve njerëzore – "për shkak se është shumë e mundshme që viktimat janë të frikësuara, ndoshta përjetojnë vuajtje. dhunë dhe kërcënime, ose ato janë të kufizuara në kontakt me botën e jashtme".
Fakti që numri aktual i viktimave është më i lartë se numri zyrtar tregon edhe mosbesimin që kanë ish-viktimat ndaj sistemit dhe se ato janë të lëna si viktima dytësore nga zyrtarët. Viktimat e huaja të trafikimit të qenieve njerëzore janë në një problem edhe më të madh, për shkak të pengesës gjuhësore dhe mungesës së njohjes së të drejtave dhe mundësive në Serbi dhe Kosovë.
Për qëllime të këtij projekti, përfaqësues të dy organizatave të shoqërisë civile, së bashku me një delegacion që është pjesë e rrjetit në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, vizituan Qendrën e Azilit në Vranjë, ku janë 67 refugjatë nga Ukraina, kryesisht gra dhe fëmijë të strehuar.
Qendra për Zhvillimin e Shërbimeve Lokale të Mbrojtjes Sociale (QZHSHLMS) në Vranjë gjithashtu ofron shërbime për viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore, të cilat përfshijnë procedurën e akomodimit të viktimave brenda 72 orëve. Kjo qendër është përgjegjëse edhe për komunat e Bujanocit dhe Preshevës, dhe filmi konstatoi se QZHSHLMS në Vranjë "nuk ka asnjë bashkëpunim me qendra të tilla në Kosovë".
Në Qendrën për Punë Sociale (QPS) në Bujanoc thonë se deri më tani asnjë viktimë e trafikimit me qenie njerëzore nuk ka kontaktuar me ta dhe se nuk kanë bashkëpunim me qendrat në Kosovë.
"Prandaj është i rëndësishëm rrjeti joformal që është formuar, i cili përbëhet nga njerëz nga katër komuna të Serbisë dhe Kosovës, qëllimi i tij është që të veprojë në mënyrë parandaluese, në mënyrë që numri i viktimave të jetë më i vogël, sepse kontrabanda me emigrantë dhe trafikimi i qenieve njerëzore janë një kërcënim serioz për sigurinë njerëzore", thuhet në filmin "Më ndihmo".
Nga fillimi i vitit 2023, sipas të dhënave të disponueshme, fluksi i emigrantëve të paligjshëm nga territori i Maqedonisë së Veriut drejt Serbisë dhe Kosovës është rritur katër herë, ndërsa nga Bullgaria 3.6 herë.
"Numri i emigrantëve të paligjshëm është pothuajse dyfishuar në krahasim me vitin e kaluar. Numri më i madh i migrantëve që vijnë në Serbi është nga Afganistani (40 për qind) dhe Siria (30 për qind), si dhe nga Pakistani, Burundi dhe Maroku", theksohet në film.
Ky project – i organizuar nga CPT dhe me mbështetjen e RCD dhe PCI – merret edhe me viktimat e dhunës në familje, e Ivana Stošić nga RCD thotë se "vitet e fundit është rritur ndërgjegjësimi se dhuna duhet të raportohet".
"Edhe kur jeni dëshmitar i dhunës në rrugë, thirrni policinë. Dikush që ka vuajtur dhunë për shumë vite shpesh ka fëmijë dhe familje me dhunuesin. Është shumë e vështirë të dalësh nga ai rreth, ku personi është i bindur se atje nuk ka rrugëdalje.Këtu duhet ndihma dhe mbështetja e shtetit, si fuqizues i viktimave të tilla, kryesisht femrave. Miratimi i një ligji sipas të cilit dhunuesi I urdhërohet të qëndrojë larg shtëpisë për 30 ditë nuk është zgjidhje. Çfarë më pas?", pyet Stoshiq.
Shtëpia e sigurt në Vranjë ekziston që nga viti 2015, dhe nga kjo shtëpi e sigurt – ku edhe gratë nga Bujanoci dhe Presheva kërkojnë shpëtim dhe ndihmë – thonë se një numër i madh i grave kthehen te dhunuesi “sepse janë të pasigurta financiarisht dhe nuk kanë asnjë mbështetje" nga institucionet dhe komunitetet sociale.
Vitin e kaluar në këtë shtëpi të sigurt kanë kaluar 50 gra viktima të dhunës në familje.
"Një numër i madh i grave kthehen te dhunuesi, të paktën 50 për qind e tyre. Nuk janë të sigurta financiarisht, mund të kenë edhe fëmijë, shto këtu atë se gratë nuk kanë mbështetje nga jashtë. Por ka pasur edhe raste që gratë kanë gjetur punë, bëhen të pavarura dhe shkojnë në një rrugë tjetër", tha Dejana Bogdanoviq nga Shtëpia e sigurtë e Vranjës.
Në Kosovë ka 10 shtëpi të sigurta e ajo në Novobërdë është licencuar në vitin 2020. Nga kjo shtëpi e sigurt thonë se "problemi i viktimave të dhunës në familje në Kosovë është i njëjtë si në Serbi" dhe se viktimat në pjesën më të madhe kthehen te dhunuesi, si dhe se "bashkëpunimi me institucionet serbe nuk ekziston".
Nevenka Rikalo, kryetare e Shoqatës së Grave "Dora dorës", theksoi se "gjëja më e vështirë është kur një grua që deklaron se pëson dhunë në familje dënohet para së gjithash nga vetë familja, sepse është turp të flasësh. për problemet që lindin në familje, e më pas dhe nga vetë komuniteti".
Sasha Iliq nga CPT-ja theksoi se dhuna në familje në këto komuna, veçanërisht gjatë pandemisë Covid dhe pas saj, është "më intensive".
"Kjo nuk është vetëm në Prishtinë, në rajonin e Vranjës apo të Gjilanit, por edhe në Mitrovicën e Kosovës", ka theksuar Sasha Iliq.